E Premte, 29 Gusht 2014

Kosova përball krizën e mundshme të energjisë me ide të reja

E Marte 02 Mars 2010 12:05

Qeveria e Kosovës po ndërton termocentralin Kosova e Re dhe po përpiqet që të ripajisë mjediset e vjetëruar të karburanteve fosilë, ndërsa po inkurajon projektet e energjisë ujore, të erës dhe të diellit.

Pa përgjigje të menjëhershme për mungesat e energjisë, qeveria e Kosovës po përqafon burime të reja dhe të ripërtëritëshëm për të përmbushur kërkesën në rritje. Qeveria ka ndërmend të pakësojë importet në rritje të energjisë me projektin Kosova e Re, një termocental i ri që do të ndërtohet në Obiliq, në periferi të Prishtinës.

"Furnizimi do të mbështetet kryesisht në shfrytëzimin e linjitit dhe prodhimin e elektricitetit të termocentraleve," sipas një deklarate nga Ministria e Energjisë dhe e Minierave.

Tani, prodhimi i elektricitetit është një monopol i Ndërmarrjes Energjitike të Kosovës (KEK) në pronësi të shtetit. KEK përdor centralet me qymyr Kosova A, Kosova B, të dyja pranë Prishtinës dhe dy hidrocentralë të vegjël.

Prodhimi në këto centrale është penguar nga probleme teknikë të vazhdueshëm, si dhe nga goditjet e shumta të rrufeve. Më 2009, KEK bëri një marrëveshje me bashkësitë e pakicës, kryesisht serbët që banojnë në jug të Lumit Ibar, për të blerë energji nga KEK. Duke ditur defiçitet ekzistues të energjisë, Kosova ka qenë e detyruar që të importojë elektricitet për të mbushur mungesat në furnizim.

Ministria e Energjisë dhe e Minierave është e vendosur që të punojë me vendet në rajon për të zgjidhur problemin. Pothuajse dy vjet më parë, agjensia nënshkroi një memorandum për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin me Shqipërinë e Bullgarinë dhe pritet që së shpejti t'a bëjë këtë edhe me të tjerët.

Zëdhënësi i KEK Viktor Buzhala tha se Kosova po importon elektricitet nga ndërmarrje tregtare të tilla si Swiss EFT dhe Geni në Slloveni, si dhe nga vende fqinjë të tillë si Shqipëria. Në raste emergjence, Kosova importon energji nga ndërmarrja serbe Rudnap.

Tani, minierat në Trepçe janë burimi primar i linjitit në rajon, me 10 miliardë tonë të rezervave të shfrytëzueshme. Deri tani, janë shfrytëzuar rreth 250 milionë tonë. Ndonëse minierat janë tani në zotërim dhe në përdorim nga qeveria e Kosovës, nevoja për investimin e huaj për të stabilizuar industrinë e energjisë, mund të shpjerë në ndryshime.

"Qeveria është e përkushtuar që të reformojë dhe të zhvillojë sektorin e minierave, mbështetur në ekonominë e tregut të lirë," tha Blerim Rexha, zëvendës/ministri i Kosovës për Energjinë dhe Minierat, në një ceremoni më 20 shkurt. Data shënoi përvjetorin e një proteste më 1989 nga minatorët shqiptarë të Trepçes kur Kosova ishte një rajon i Serbisë.

Rexha tha se "një përparësi e lartë" do t'i jepet ristrukturimit të minierave të Trepçes për të tërhequr një kombinim të investimit publik dhe privat.

Në janar, Kosova organizoi një konferencë të investitorëve të huaj për të tërhequr interes financiar në projektin Kosova e Re. Morën pjesë një numër investitorësh të mundshëm, por deri tani askush ka paraqitur një plan të rëndësishëm.

"Se sa do të jenë të gatshëm ... dhe sa përmbushin kriteret paraprakë për të bërë ofertat e tyre për këtë projekt ... do të shihet deri në fund të shkurtit, kur presim dokumentet që deklarojnë interesin e investitorëve në Kosova e Re," njoftoi ministria e energjisë.


Linjiti, apo "qymyri bojë kafe", karburanti fosil që tani mbështet shumicën e energjisë në Kosovë është veçanërisht një burim ndotjeje i energjisë. Ministria e energjisë e Kosovës ka thënë se "mbyllja e strukturave që shkaktojnë më shumë ndotje është parashikuar për në fundin e 2017."

Centrali Kosova e Re pritet që të zëvendësojë njësinë Kosova A. Po t'i bashkohet termocentrali i ristrukturuar dhe i ripërtërirë Kosova B dhe rezervat ujore, Kosova beson se do të jetë në gjendje të mbulojë kërkesat për energji deri më 2018.

Qeveria dëshiron gjithashtu që të kërkojë burime të tjerë të energjisë. Hidrocentrali i Zhurit pranë Prizrenit dhe 16 hidrocentrale të tjerë të vegjël janë projekte në stadet e hershme. Megjithatë, studimet tregojnë se Kosova ka një mundësi të kufizuar në fushën e hidrocentraleve.

Prodhimi i energjisë së erës dhe diellore janë gjithashtu pjesë e programit zyrtar. Energjia diellore është tashmë në përdorim në Qendrën Shëndetësore të Prishtinës dhe në qytetin e studentëve të Prishtinës.
SETimes.com

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.